Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pasi banesa e tyre dykatëshe u përfshi nga zjarri.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga shtëpia, ndërsa zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete gjatë kontrollit të banesës. Dy fëmijët dhe dy të rriturit që shpëtuan ndodhen në gjendje kritike në spital.
Sipas mediave lokale, familja është me origjinë nga Shqipëria, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur moshat e fëmijëve që humbën jetën. Një fqinj ka treguar se banorët e zonës u përpoqën të ndihmonin në shpëtim, përfshirë nxjerrjen e një foshnjeje dhe një të rrituri nga dritarja e katit të dytë.
Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa u dëmtua rëndë dhe flakët prekën edhe dy banesa ngjitur. Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe po hetohet nga autoritetet.







