Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi i radhës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të caktohet pasi palët të dakordohen për datën dhe kohën.
Kurti ka shprehur shpresën se diskutimet mes tyre do të çojnë drejt një marrëveshjeje për zgjedhjen e një emri konsensual për presidentin e Kosovës.
“Do t’ju njoftojmë me kohë porsa të merremi vesh për takimin e radhës dhe shpresojmë edhe për marrëveshje”, ka deklaruar Kurti.
Takimi i radhës vjen pas bisedimeve të zhvilluara më 26 gusht, kur Kurti dhe Abdixhiku konfirmuan se për herë të parë kishin diskutuar për emra konkretë për postin e presidentit.
Pas takimit, Kurti tha se negociatat janë bërë më të vështira pasi tashmë palët kanë nisur të shqyrtojnë emra të veçantë, ndërsa Abdixhiku deklaroi se emrat e propozuar janë në përputhje me parimet për të cilat është diskutuar më herët.
Palët pritet të vazhdojnë negociatat me synimin për të gjetur një kandidat konsensual dhe për të shmangur një situatë që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.







