Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke bërë të ditur se nuk do ta mbështesë atë.
Hoti ka theksuar se kundërshtimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale. Sipas tij, presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese që ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është arritur marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e Sejdiut, duke vlerësuar se kjo zgjidhje nuk përfaqëson interesat dhe parimet e LDK-së dhe elektoratit të saj.
“LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka theksuar se çështja nuk duhet të shihet si përplasje mes individësh, por si një çështje që lidhet me identitetin politik të LDK-së dhe përgjegjësinë ndaj votuesve.
Kandidatura e Bekim Sejdiut u bë publike pas dakordimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, ndërsa kundërshtimi i Hotit mund të ndikojë në sigurimin e mbështetjes së nevojshme për zgjedhjen e tij në Kuvend.
Tashmë mbetet të shihet nëse qëndrimi i Hotit do të reflektojë edhe te deputetë të tjerë të LDK-së dhe nëse marrëveshja politike për Sejdiun do të jetë e mjaftueshme për të siguruar votat e nevojshme.







