Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.
Millosh Radosavljeviq është dënuar me 9 muaj burgim, ndërsa Dushan Dobraq me 12 muaj burgim, duke e çuar dënimin e tyre të përbashkët në 21 muaj.
Dy të akuzuarit kishin pranuar më herët fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkoheshin, përmes marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Rasti lidhet me barrikadat e vendosura në veri të Kosovës gjatë dhjetorit të vitit 2022, kur rrugët kryesore në komunat veriore u bllokuan me kamionë, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera. Sipas aktakuzës, këto veprime kishin penguar institucionet dhe Policinë e Kosovës në ushtrimin e autoritetit dhe kryerjen e detyrave zyrtare.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej gjashtë personave për rastin e barrikadave. Përveç Radosavljeviqit dhe Dobraqit, të akuzuar janë edhe Dushan Maksimoviq, Nemanja Joloviq, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orlloviq.
Sipas vendimit të gjykatës, dënimet ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohen brenda afatit prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.
Procedura ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast pritet të vazhdojë.







