Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës do të hyjnë në grevë nga 1 shtatori, për shkak të mospagesës së një pjese të pagës për muajin korrik.
Vendimin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Sipas tij, pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave të vazhdueshme, deri më tani nuk është gjetur zgjidhje për pagesat e mbetura. Për këtë arsye, punëtorët kanë vendosur të ndërpresin punën duke nisur nga 1 shtatori.
Federata ka bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje dhe përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.
“Puna e kryer duhet të paguhet”, është qëndrimi i përsëritur nga sindikata, e cila thekson se punëtorët nuk duhet të bartin pasojat e procedurave administrative apo të prokurimit.
Greva pritet të prekë shërbimet e mirëmbajtjes dhe pastrimit në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit, në ditën kur nis viti i ri shkollor.
FSPTSPK ka deklaruar se mbetet e hapur për dialog me institucionet dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë.
Ndërkohë, deri më tani nuk është bërë e ditur numri i saktë i punëtorëve që do t’i bashkohen grevës apo numri i shkollave që mund të preken nga ndërprerja e punës.







