Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se situata e krijuar e ka nxjerrë vendin, sipas tij, “jashtë spektrit kushtetues”.
Reagimi i Hotit erdhi pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërpreu seancën për zgjedhjen e nënkryetarëve.
“Jemi jashtë spektrit kushtetues”, deklaroi Hoti, duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit.
Seanca u ndërpre pasi kandidatja e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk i mori votat e nevojshme. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështetën kandidaturën e saj, ndërsa më pas Grupi Parlamentar i PDK-së u largua nga salla.
Para këtij votimi, PDK-ja kishte mbështetur kandidatin e LVV-së për nënkryetar, Ardian Gola, i cili u zgjodh me 101 vota për.
Zhvillimet kanë shkaktuar reagime të shumta nga partitë opozitare, ndërsa procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve vazhdon të mbetet i papërfunduar.







