Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si “juridikisht të kontestueshëm” dhe, sipas tij, të ndikuar politikisht.
Tërnava ka deklaruar se ky aktgjykim nuk mund ta ndryshojë atë që ai e konsideron të vërtetën historike dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri. Ai ka shprehur shqetësimin se vendimi mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohen krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
“As vendimi i sotëm, e asnjë vendim tjetër në të ardhmen, nuk mund ta tjetërsojë të drejtën tonë legjitime për të mbrojtur të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave dhe epopenë e luftës sonë për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Tërnava.
Myftiu ka shprehur gjithashtu mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që pas aktgjykimit të ruajnë qetësinë, maturinë dhe dinjitetin.
“Të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, të jenë pranë çlirimtarëve dhe në krah të vlerave të luftës”, ka deklaruar ndër të tjera Tërnava, duke kërkuar njëkohësisht përgjegjësi qytetare dhe angazhim për forcimin e institucioneve të Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës kishte shprehur edhe para shpalljes së aktgjykimit mbështetje për marshin e 12 shtatorit në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, duke bërë thirrje që pjesëmarrja të ishte e qetë dhe dinjitoze.







