Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe zhgënjyes.
Përmes një reagimi publik, Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që pas vendimit të mos krijohen tensione apo përçarje.
“Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka përmendur edhe pretendimet e mëhershme për trafikim organesh, duke theksuar se ato nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Ahmeti ka vënë në pah gjithashtu se të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe se, sipas tij, procesi nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, ka deklaruar Ahmeti.
Në fund, kreu i BDI-së ka përsëritur qëndrimin e tij se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe ka përfunduar mesazhin me fjalët: “Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!







