Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në reagimin e saj, Osmani ka deklaruar se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë atë që ajo e konsideron të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka rikujtuar viktimat dhe personat e zhdukur gjatë luftës, duke deklaruar se mijëra qytetarë u vranë nga forcat serbe dhe se shumë familje vazhdojnë të presin përgjigje për të afërmit e tyre.
Osmani ka thënë gjithashtu se, sipas saj, UÇK-ja u ngrit si përgjigje ndaj dhunës dhe represionit ndaj popullsisë së Kosovës.
“UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, Osmani ka deklaruar se do të vazhdojë ta mbrojë atë që ajo e quan drejtësinë e luftës çlirimtare, duke e cilësuar shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës si përgjegjësi të përbashkët.







