Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, janë identifikuar mbetjet mortore të Salih Mëziut, njërit prej 10 pjesëtarëve të familjes Mëziu nga Marina e Skenderajt, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Tomor Mëziu, i cili ka treguar se familja e ka pritur këtë përgjigje për më shumë se dy dekada, por se dhimbja vazhdon pasi nëntë pjesëtarë të tjerë të familjes ende figurojnë të zhdukur.
Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se tri nga mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut u përkasin anëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, të rrëmbyer më 19 prill 1999. Të identifikuarit janë Salih Mëziu, Idriz Rreci dhe Adem Beqiri.
Tomor Mëziu ka thënë se identifikimi i babait është një përgjigje e dhimbshme, por e shumëpritur, ndërsa familja vazhdon të shpresojë se do të identifikohen edhe pjesëtarët e tjerë.
“Për kaq gjatë kemi jetuar me ankthin, shpresën dhe dhimbjen e pritjes, duke mos ditur se ku prehej i baba ynë”, ka shkruar ai.
Familja është në koordinim me institucionet kompetente dhe pret që procesi i identifikimit të vazhdojë, me shpresën që të mund t’u japë lamtumirën e fundit edhe familjarëve të tjerë të zhdukur.







