Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në protestën e studentëve të mbajtur sot në kryeqytet kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur para mediave, Rama ka bërë thirrje për unitet politik dhe institucional, duke thënë se kjo çështje, sipas tij, duhet të trajtohet përtej ndarjeve partiake.
“Jemi pjesë e protestave demokratike, sot të studentëve që kanë ardhur nga të gjitha qytetet në përkrahje të procesit dhe kundër vendimeve që kanë ndodh në Hagë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se sheshet e kryeqytetit do të jenë të hapura për protesta që, sipas tij, synojnë mbrojtjen e vlerave kombëtare, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që të veprojnë së bashku.
“Kjo pozitë tash ku jemi, duhet të shfrytëzohet për unitet kombëtar, duhet të jemi një, duhet të jemi bashkë”, është shprehur Rama.
Deklarata e tij vjen në vazhdën e protestave dhe reagimeve që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë.





