Home > Lajme > Haziri thërret qytetarët në protestë edhe nën shi: Merreni nga një çadër dhe ejani

Haziri thërret qytetarët në protestë edhe nën shi: Merreni nga një çadër dhe ejani

///
Comments are Off

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje që qytetarët të mblidhen edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pavarësisht reshjeve të paralajmëruara. Protesta është caktuar të nisë në orën 21:00.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri u ka kërkuar pjesëmarrësve që këtë herë të marrin me vete edhe çadra.

“Shiu mund ta lagë sheshin, por nuk e shuan zërin tonë”, ka shkruar Haziri, duke shtuar mesazhin: “Sonte, edhe nën shi, bashkë për UÇK-në!”.

Tubimi i mbrëmjes së 25 shtatorit shënon ditën e dhjetë me radhë të protestave të iniciativës “Jo në emrin tim” në Prishtinë, të cilat po mbahen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli të katër fajtorë për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Ky është aktgjykim i shkallës së parë.

Ndërkohë, sot janë paralajmëruar edhe protesta të veçanta të organizuara nga OVL-UÇK në disa qytete të Kosovës nga ora 17:00. Ato nuk duhet të ngatërrohen me protestën e Hazirit në Prishtinë, e cila vazhdon në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”.

Verified by MonsterInsights