E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ku është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës amerikane dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas njoftimit të publikuar për takimin, në fokus kanë qenë përpjekjet e përbashkëta për luftimin e kërcënimeve që prekin edhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në mesin e çështjeve të diskutuara janë përmendur terrorizmi, trafikimi i narkotikëve, emigracioni i paligjshëm, krimet kibernetike dhe aktivitetet e organizatave kriminale transnacionale.
Prattipati ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes institucioneve amerikane dhe atyre të Kosovës në përballjen me këto forma të krimit dhe kërcënimet e sigurisë.
Bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale dhe institucioneve amerikane është intensifikuar edhe në fushën e krimit të organizuar transnacional. Më 11 shtator, Isufaj dhe Prattipati kishin zhvilluar një tjetër takim pune, ku Prokuroria Speciale kishte vlerësuar ndihmën amerikane në hetimet kundër organizatave kriminale dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së.
Në atë takim ishte diskutuar gjithashtu për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ndërsa Prokuroria Speciale kishte falënderuar Ambasadën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme.







