Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk ka arritur të përfitojë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi gjashtë reforma që kishin afat deri më 30 qershor nuk janë zbatuar në kohë.

Kurti i bëri këto deklarata në mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e tij si Komitet Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.

Sipas kryeministrit, deri më 30 qershor Kosova ka zbatuar dhe raportuar në Komisionin Evropian 20 hapa të reformave që lidhen me 153.3 milionë euro fonde të BE-së.

Ai tha se Komisioni Evropian aktualisht është duke bërë vlerësimin e këtyre reformave, pas të cilit pritet të merret vendimi për lirimin e fondeve përkatëse.

Megjithatë, nga 13 reforma që kishin afat deri më 30 qershor, gjashtë nuk janë realizuar në kohë.

Kurti tha se për këto 13 reforma ishin paraparë 90.7 milionë euro, ndërsa si pasojë e mosrealizimit të gjashtë prej tyre, Kosova nuk përfitoi mbi 40 milionë euro.

Sipas tij, shkaku ishte mosfunksionimi i Kuvendit dhe pamundësia për miratimin e ligjeve që lidhen me këto reforma.

“Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se projektligjet që lidhen me reformat e mbetura do të procedohen në seancën e ardhshme të Kuvendit, por theksoi se realizimi i reformave nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim i mjeteve të lidhura me afatet e humbura.

Fokusi tani, sipas Kurtit, është te 22 reforma të tjera me afat deri në fund të dhjetorit, të cilat lidhen me 131.4 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian.

Tetë prej këtyre reformave kërkojnë miratimin e 10 projektligjeve në Kuvend.

Kurti tha se nëse Kuvendi funksionon dhe ligjet miratohen brenda afatit, Kosova mund të shmangë humbjen e mjeteve të tjera nga Plani i Rritjes.

Në të njëjtën mbledhje, ai paralajmëroi se në Kuvend do të procedohen edhe tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, përmes të cilave Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.

Plani i Rritjes i BE-së parashikon gjithsej 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme për Kosovën deri në fund të vitit 2027. Në prill, Bashkimi Evropian nisi transferimin e 61.8 milionë eurove si parafinancim.