Kuvendi i Kryeqytetit ka miratuar themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi”, e cila do të merret me shërbimet e pastrimit dhe menaxhimin e mbeturinave në territorin e Prishtinës.
Propozimi mori mbështetjen e 34 asamblistëve, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar vendimin si një prej më të rëndësishmëve për qytetarët e kryeqytetit, duke paralajmëruar një mënyrë të re të organizimit të shërbimit të pastrimit.
Sipas tij, Prishtina do të kalojë nga modeli aktual i një kompanie rajonale që mbulon disa komuna në një ndërmarrje të dedikuar vetëm për kryeqytetin.
“Prishtina po kalon në ndërmarrje të vetën, të Kryeqytetit, për Kryeqytetin dhe në shërbim të qytetarëve të tij”, ka deklaruar Rama.
Ai tha se me themelimin e ndërmarrjes së re, Prishtina synon të marrë përgjegjësi më të drejtpërdrejtë për planifikimin, investimet, pajisjet dhe kapacitetet që lidhen me mirëmbajtjen e pastërtisë.
“Themelimi i kësaj ndërmarrjeje është fillimi i një sistemi të ri. Një sistem ku Prishtina planifikon vetë, investon vetë, rrit kapacitetet dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastërtinë e qytetit”, ka thënë Rama.
Vendimi vjen pas problemeve të vazhdueshme me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave në kryeqytet, çështje që gjatë muajve të fundit ka shkaktuar ankesa nga qytetarët dhe përplasje mes institucioneve përgjegjëse.
Propozimi për ndërmarrjen e re ishte hedhur në votim edhe më 11 shtator, kur mori 32 vota për, por nuk arriti numrin e nevojshëm për miratim.
Me votimin e 25 shtatorit nis procesi i funksionalizimit të ndërmarrjes së re, ndërsa hapat e ardhshëm do të përcaktojnë mënyrën e organizimit, kapacitetet dhe kalimin nga sistemi aktual rajonal në modelin e ri të kryeqytetit.
Rama e ka cilësuar vendimin si një zgjidhje afatgjatë për problemin e mbeturinave, duke deklaruar se “një kapitull i ri” për menaxhimin e pastërtisë në Prishtinë nis me votimin e sotëm.






