Home > Ballina > Supremeja lë në fuqi 5 vjet e 6 muaj burgim për Dodë Ricën për trafikim me njerëz

Supremeja lë në fuqi 5 vjet e 6 muaj burgim për Dodë Ricën për trafikim me njerëz

///
Comments are Off

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Dodë Ricës, pronarit të lokalit të striptizmit “Cyborg Club-Strip”, i njohur edhe si “Shqiponja Club”, duke lënë në fuqi dënimin e tij për trafikim me njerëz.

Rica ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik të vitit 2025 me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë. Në dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Atij i ishte ndaluar gjithashtu ushtrimi i veprimtarisë së biznesit “Cyborg Club-Strip” për pesë vjet.

Vendimi i Themelores ishte konfirmuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa mbrojtja e çoi çështjen në Supreme duke kontestuar disa pjesë të procedurës dhe mënyrën e administrimit të provave.

Një prej pretendimeve të mbrojtjes lidhej me intervistimin e viktimave gjatë procedurës hetimore pa praninë personale të Ricës. Supremeja konstatoi se në atë periudhë ai ishte në arrati dhe se gjatë marrjes në pyetje kishte qenë i pranishëm mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, i cili kishte pasur mundësi t’u parashtronte pyetje viktimave.

Mbrojtja kishte kundërshtuar edhe angazhimin e përkthyesit nga gjuha spanjolle, duke pretenduar se ai nuk kishte licencën përkatëse. Gjykata e vlerësoi këtë argument të pabazuar, duke konstatuar se gjatë procedurës nuk ishin evidentuar ankesa për keqkuptime ose pasaktësi në përkthim.

Supremeja ka vlerësuar gjithashtu se fajësia e Ricës nuk ishte bazuar vetëm në deklaratat e viktimave.

Në mesin e provave të shqyrtuara përmenden ftesat për ardhjen e grave në Kosovë, dokumentet për marrjen me qira të lokalit dhe ambienteve ku ato qëndronin, raportet e vëzhgimit policor dhe incizimet e kamerave.

Sipas aktakuzës, gratë rekrutoheshin kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe silleshin nga vende të Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe më pas Kosovës. Pas mbërritjes, atyre u merreshin pasaportat, kontrolloheshin lëvizjet dhe u kërkohej të shlyenin të ashtuquajturat borxhe të udhëtimit përmes punës në klub.

Disa prej viktimave kishin deklaruar gjatë hetimeve se ishin detyruar të zhvisheshin dhe të ofronin shërbime seksuale për klientët, ndërsa njëra prej tyre kishte deklaruar se ishte detyruar të kryente marrëdhënie edhe me persona të afërt me pronarin e lokalit.

Në të njëjtën çështje është akuzuar edhe Ana Gjoshi, e cila sipas dosjes kishte rol menaxhues në klub dhe merrej me kontaktimin e grave. Procedura ndaj saj ishte veçuar pasi ajo ndodhej në arrati.

Rica ishte arrestuar në Durrës në gusht të vitit 2024 dhe më pas ishte ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë. Me refuzimin e kërkesës nga Supremeja, mbetet në fuqi dënimi i shqiptuar ndaj tij për trafikim me njerëz.

Verified by MonsterInsights