Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që pas miratimit të deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, institucionet të vazhdojnë me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kërkesa e PDK-së erdhi menjëherë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën e harmonizuar ndërmjet grupeve parlamentare lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata mori 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Pas votimit, PDK falënderoi grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit, duke e cilësuar miratimin e deklaratës si një hap të përbashkët politik. Partia kërkoi që ky qëndrim të pasohet tash me veprime konkrete lidhur me nismën e saj ligjore.
PDK i ka kërkuar Qeverisë që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet pa vonesë, ndërsa grupeve parlamentare që nisma të trajtohet dhe të votohet me urgjencë.
Projektligji ishte dorëzuar në Kuvend ditë më parë dhe më pas ishte dërguar në Qeveri për mendim. Sipas procedurës parlamentare, para shqyrtimit të parë në seancë plenare, projektligji duhet të kalojë edhe nëpër komisionin përgjegjës parlamentar, i cili i paraqet Kuvendit raportin dhe rekomandimin e tij.
Nisma e PDK-së parasheh disa ndryshime të rëndësishme në funksionimin e Dhomave të Specializuara. Ndër to është propozimi që juridiksioni të kufizohet te veprat penale të lidhura me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011 dhe që periudha kohore e juridiksionit të ndryshojë nga ajo aktuale në periudhën prej 1 korrikut 1999 deri në dhjetor 2000.
Projektligji parasheh gjithashtu një dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim, mundësinë që dënimet të ekzekutohen në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. Në të njëjtën kohë, nisma parasheh që procedurat tashmë në zhvillim të vazhdojnë sipas rregullave aktuale deri në një vendim të formës së prerë.
Ndryshimet e propozuara kanë hapur edhe debat juridik për raportin e tyre me bazën kushtetuese dhe obligimet ndërkombëtare mbi të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara. Juristë të konsultuar publikisht ditët e fundit kanë theksuar se ndryshimet që prekin mandatin e këtij institucioni mund të kërkojnë shqyrtim edhe në raport me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës.
Ndërkohë, deklarata e miratuar të hënën nga Kuvendi shpreh shqetësimin e deputetëve ndaj aktgjykimit të 16 shtatorit dhe kërkon nga institucionet shtetërore që të ndërmarrin veprime juridike, institucionale dhe diplomatike lidhur me çështjen.
Tash vëmendja zhvendoset te procedurat që do të ndiqen për Projektligjin e propozuar nga PDK dhe te qëndrimet që grupet parlamentare do të mbajnë kur nisma të arrijë për shqyrtim dhe votim në Kuvend.






