Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se tani radha është që të trajtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
PDK-ja ka falënderuar grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin e tyre në harmonizimin e tekstit të deklaratës, e cila u miratua të hënën me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deklarata u harmonizua mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Grupit Parlamentar Multietnik, pas diskutimeve ndërmjet grupeve parlamentare për formulimin përfundimtar të saj.
Pas votimit, PDK-ja ka vlerësuar se Kuvendi tashmë ka dhënë një qëndrim politik lidhur me aktgjykimin dhe me interpretimin e luftës së UÇK-së. Partia e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë, qëndrim që përfaqëson vlerësimin politik të saj për procesin.
Tash, PDK-ja kërkon që procedura të kalojë te nisma e saj ligjore për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Radha është e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK-ja. Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në reagimin e partisë.
Nisma e PDK-së është dorëzuar në Kuvend gjatë javës së kaluar dhe parashikon ndërhyrje të rëndësishme në mënyrën se si funksionon juridiksioni i Dhomave të Specializuara.
Ndër ndryshimet e propozuara është kufizimi i juridiksionit të Speciales vetëm te pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Projektligji parasheh gjithashtu ndryshimin e periudhës kohore që mbulohet nga juridiksioni i gjykatës. Aktualisht kjo periudhë shtrihet nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, ndërsa propozimi i PDK-së kërkon që ajo të kufizohet nga 1 korriku 1999 deri në dhjetor 2000.
Një tjetër ndryshim i propozuar është kufizimi i dënimit maksimal në 15 vjet burgim. Po ashtu, parashihet që ekzekutimi i dënimeve të bëhet në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund t’i nënshtrohen mundësisë së faljes presidenciale.
Nisma vjen pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
PDK-ja po e paraqet votimin e projektligjit si hapin e ardhshëm institucional pas deklaratës së miratuar në Kuvend, ndërsa mbetet të shihet nëse propozimi do të sigurojë mbështetjen e nevojshme nga grupet e tjera parlamentare.







