Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit të paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Marshi është paralajmëruar të nisë në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Haradinaj tha se do të marrë pjesë në tubim dhe e cilësoi aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së si të papranueshëm dhe të padrejtë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit.
“Jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës”, ishte një nga mesazhet e tij, ndërsa shtoi se mbrojtjen e luftës së UÇK-së e sheh të lidhur me mbrojtjen e atdheut.
Marshi i së enjtes është organizuar nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” dhe do të zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”. Organizatorët e kanë paralajmëruar atë si marsh paqësor pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Data 1 tetor është zgjedhur edhe për shkak të simbolikës së protestave studentore të 1 tetorit 1997. Organizatorët kanë deklaruar se synojnë ta lidhin atë moment të rezistencës qytetare me mesazhin e marshit të sivjetmë.
Thirrjes për pjesëmarrje në marsh u janë bashkuar gjatë ditëve të fundit edhe përfaqësues të tjerë politikë, veteranë dhe grupe qytetare, ndërsa organizatorët kanë ftuar studentë, profesorë dhe qytetarë që të marrin pjesë.
Marshi pritet të mbahet të enjten, 1 tetor, nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.






