Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Takimi është zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të vizitës së Von der Leyen në Prishtinë dhe turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të këtij turneu, në fokus janë procesi i integrimit evropian, hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit.
Para takimit me Kurtin, Von der Leyen është pritur edhe nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Pas përfundimit të takimit mes Kurtit dhe Von der Leyen është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për media, ku pritet të bëhen të ditura më shumë detaje rreth diskutimeve.
Vizita zhvillohet në një periudhë të rëndësishme politike për Kosovën, ndërsa Kurti kishte deklaruar më herët gjatë ditës se menjëherë pas takimit me Von der Leyen do të nisë komunikimet me krerët e opozitës për përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri deri më 6 tetor.
Pas Kosovës, Von der Leyen do të vazhdojë vizitën e saj në Mal të Zi, ndërsa turneu rajonal përfundon më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut.






