Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është deklaruar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Von der Leyen tha se është e vetëdijshme për ndjeshmërinë që kjo çështje ka në Kosovë.

Ajo theksoi se proceset gjyqësore trajtojnë përgjegjësinë penale të individëve dhe nuk duhet të interpretohen si gjykim ndaj historisë së Kosovës apo ndaj një populli të tërë.

Von der Leyen ishte e prerë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, duke bërë dallimin ndërmjet përgjegjësisë individuale që shqyrtohet në një proces gjyqësor dhe historisë së vendit.

Presidentja e Komisionit Evropian rikujtoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara funksionojnë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe janë krijuar mbi bazën e vendimeve të marra nga institucionet e Kosovës.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është i shkallës së parë dhe procesi juridik vazhdon, pasi të dënuarit kanë të drejtën e apelimit.

Deklarata e Von der Leyen vjen në një periudhë kur në Kosovë po zhvillohen protesta kundër aktgjykimit, ndërsa gjatë vizitës së saj në Prishtinë protestues të rinj dolën edhe pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” me mesazhin “Jo në emrin tim”.

Vizita e saj në Kosovë përfshin takime me drejtuesit institucionalë dhe diskutime për marrëdhëniet Kosovë-BE, procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet aktuale politike në vend.