Një moment emocional është regjistruar gjatë protestës së 1 tetorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në tubimin e organizuar nën moton “Jo në emrin tim”.
Në mesin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës të angazhuar për ruajtjen e rendit, një polic është parë i përlotur teksa vazhdonte detyrën e tij.
Momenti është regjistruar gjatë fjalimeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre para protestuesve të mbledhur në qendër të kryeqytetit. Nuk është bërë publik ndonjë deklarim i policit që do të shpjegonte arsyen e emocionimit të tij, ndaj pamjet tregojnë vetëm se ai ishte i përlotur gjatë tubimit.
Protesta është organizuar nga platforma “Liria Ka Emër” në kundërshtim me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Tubimi nisi në orën 16:00, ndërsa pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në shesh.
Policia e Kosovës kishte paralajmëruar më herët masa të shtuara sigurie dhe angazhimin e zyrtarëve policorë për ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës.






