Home > Ballina > Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë

///
Comments are Off

Dhomat e Specializuara në Hagë ia kanë vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, pas rishikimit të radhës të masës së paraburgimit.

Gjykatësi ka vlerësuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, duke vendosur që ai të vazhdojë të mbahet në paraburgim.

Gjatë shqyrtimit është marrë parasysh edhe aktgjykimi i fundit në rastin tjetër ndaj Thaçit, ku ai është shpallur fajtor dhe është dënuar në shkallë të parë. Megjithatë, është vlerësuar se ky zhvillim nuk e ndryshon nevojën që masa e paraburgimit në rastin aktual të rishikohet periodikisht dhe veçmas.

Rasti kundër administrimit të drejtësisë lidhet me pretendimet e Prokurorisë se të akuzuarit kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët dhe të pengojnë kryerjen e detyrave zyrtare gjatë proceseve të zhvilluara në Hagë.

Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mospërfillje të gjykatës.

Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave në këtë rast.

Gjykimi ka nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa faza e paraqitjes së provave është përmbyllur gjatë verës. Deklaratat përfundimtare të palëve janë mbajtur më 10, 11 dhe 14 shtator.

Rasti për administrimin e drejtësisë është proces i ndarë nga çështja për krime lufte ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Vendimi i fundit nënkupton se Thaçi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim edhe në kuadër të këtij procesi, ndërsa masa do të vazhdojë t’i nënshtrohet rishikimeve periodike.

Verified by MonsterInsights