Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet të mbajë sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku në fokus do të jetë performanca e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Mbledhja është paraparë të nisë në orën 15:00 dhe të zhvillohet e mbyllur për media, vetëm një ditë pas diskutimeve brenda KPK-së për raportin krahasues mbi efikasitetin e prokurorive gjatë viteve 2023-2025.
Raporti ka nxitur debat për rezultatet e Prokurorisë Speciale, e cila në disa prej treguesve të analizuar rezulton me përqindjen më të ulët të lëndëve të zgjidhura krahasuar me numrin e përgjithshëm të rasteve në trajtim.
Për vitin e fundit të analizuar, në regjistrin PP ishin zgjidhur 210 lëndë, ose 23.52 për qind e të gjitha lëndëve në punë. Ndërsa në regjistrin PPN, ishin zgjidhur 208 lëndë, që përbënin 19.77 për qind të rasteve në trajtim.
Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, i ka cilësuar këto të dhëna shqetësuese dhe ka kërkuar që Këshilli të analizojë nëse problemet lidhen me mekanizmat e brendshëm të Prokurorisë Speciale apo me mënyrën e drejtimit të saj.
Në anën tjetër, brenda KPK-së ka pasur edhe kundërshtime për mënyrën se si po interpretohen statistikat. Është ngritur pretendimi se natyra e rëndë dhe komplekse e rasteve që trajton Prokuroria Speciale, ngarkesa shtesë dhe numri i prokurorëve duhet të merren parasysh kur vlerësohet efikasiteti i saj.
Para mbledhjes së jashtëzakonshme ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke kërkuar që llogaridhënia të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe pa cenuar pavarësinë funksionale të Prokurorisë Speciale.
IKD ka paralajmëruar që KPK-ja të mos përsërisë mënyrën e veprimit të përdorur në rastin e ish-ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Kelmendi ishte shkarkuar nga KPK-ja më 20 nëntor 2025, por më pas Gjykata Supreme e kishte anuluar vendimin si të kundërligjshëm dhe e kishte kthyer çështjen për rishqyrtim dhe rivendosje.
Supremja kishte konstatuar probleme serioze procedurale, përfshirë mungesën e kuorumit për vendimmarrje.
Pikërisht ky rast është rikthyer tash në vëmendje për shkak të mbledhjes së thirrur për Isufajn, ndërsa IKD ka theksuar se kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të shndërrohet në instrument për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale.
Në të njëjtën kohë, Instituti ka bërë të qartë se as pavarësia nuk mund të përdoret si arsyetim për mungesë të llogaridhënies.
Vëmendja tash është te mbledhja e jashtëzakonshme dhe nëse KPK-ja do të ndërmarrë ndonjë veprim konkret pas diskutimit për performancën e Isufajt dhe Prokurorisë Speciale.






