Iniciativa “Jo në emrin tim” ka vazhduar aksionet për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e zhvendosur kërkesën e saj këtë herë drejtpërdrejt para Kuvendit të Kosovës.
Pas 18 ditësh protestë, organizatorët u kanë bërë thirrje deputetëve që mbështesin ndryshimet ligjore të ndërmarrin hapin e nevojshëm për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Kërkesa e tyre është që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të futet në rend dite, të shqyrtohet dhe të hidhet në votim.
“Thirreni seancën. Votojeni ligjin”, është mesazhi që iniciativa ua ka drejtuar deputetëve.
Gjatë aksionit para Kuvendit, protestuesit kanë vendosur edhe një baner ku kanë paraqitur qëndrimet e deputetëve ndaj Projektligjit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se në aksion janë përfshirë edhe fëmijë të dëshmorëve dhe të rinj nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, një seancë e jashtëzakonshme mund të kërkohet nga një e treta e deputetëve, pra së paku 40 nga 120 deputetët e Kuvendit.
Kërkesa duhet të përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe nënshkrimet e deputetëve që e mbështesin atë. Pas dorëzimit të kërkesës, seanca e jashtëzakonshme duhet të mbahet jo më vonë se 72 orë.
Aksioni para Kuvendit vjen pasi Qeveria më 2 tetor përfundoi shqyrtimin e nismës legjislative dhe i dërgoi Kuvendit vlerësimet përkatëse juridike, buxhetore dhe për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Me përfundimin e kësaj faze, presioni i protestuesve është zhvendosur drejt deputetëve dhe procedurave parlamentare për shqyrtimin e Projektligjit.
Iniciativa “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar gjatë ditëve të fundit se protestat dhe aksionet do të vazhdojnë derisa kërkesa e saj për votimin e ndryshimeve ligjore të trajtohet në Kuvend.




