Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka dhënë sqarime për një nga ndryshimet kryesore të propozuara në Projektligjin për Dhomat e Specializuara, pas diskutimeve se kush do të kishte kompetencë ta shqyrtonte kushtetutshmërinë e ligjit nëse ndryshimet miratohen.
Gruda ka deklaruar se me propozimin e PDK-së synohet të kufizohet shprehimisht juridiksioni i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë. Sipas interpretimit të tij, kjo Dhomë nuk do të mund të kontrollonte apo shfuqizonte Ligjin nr. 05/L-053 ose ndryshimet e mëvonshme të tij.
Ai është thirrur në nenin 23 të Projektligjit, ku parashihet që Dhoma e Specializuar Kushtetuese të merret vetëm me referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në të njëjtin nen, sipas sqarimit të Grudës, përcaktohet që Dhoma në Hagë të mos ketë juridiksion për kontrollin abstrakt, konkret apo incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose vetë Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kontrolli kushtetues i këtij ligji dhe i ndryshimeve eventuale të tij do t’i mbetej, sipas formulimit të propozuar, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë. Gruda argumenton se kjo mbështetet në nenin 113 dhe në mënyrën se si Amendamenti nr. 24 e lidh juridiksionin e Dhomës së Specializuar me ligjin e veçantë. Gazeta
Megjithatë, çështja e përputhshmërisë së këtyre ndryshimeve me Kushtetutën mbetet objekt shqyrtimi juridik. Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se ndryshimet prekin çështje të ndërlikuara kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe se nevojitet vlerësim i mëtejshëm i specializuar në Kuvend, veçanërisht në raport me nenin 162 të Kushtetutës dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Përveç kompetencave të Dhomës Kushtetuese, nisma përfshin edhe ndryshime që lidhen me juridiksionin lëndor, kohor dhe territorial, transferimin e rasteve në gjykatat dhe prokuroritë vendore, dënimin maksimal dhe çështjen e faljes së personave të dënuar.
Qeveria e Kosovës e ka përfunduar shqyrtimin e nismës dhe më 2 tetor i është përgjigjur Kuvendit me opinionin juridik, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe vlerësimin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Tash Projektligji duhet të vazhdojë procedurat në Kuvend, ku Komisioni për Legjislacion pritet ta shqyrtojë para procedimit të tij për votim në seancë plenare.





