Daut Haradinaj ka reaguar lidhur me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar vendimmarrjen e deputetëve si një moment me rëndësi historike.
Haradinaj tha se deputetët e Kuvendit kanë mundësinë që përmes votës së tyre të marrin një vendim në emër të qytetarëve që përfaqësojnë.
Ai e cilësoi votimin si një “akt historik e jetësor” për një deputet, ndërsa bëri thirrje që përfaqësuesit e zgjedhur ta marrin parasysh edhe kërkesën e qytetarëve që kanë protestuar në Kosovë dhe jashtë vendit.
Sipas Haradinajt, vota e deputetëve do të përcaktojë drejtimin e mëtejmë të procesit.
Ai argumentoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni që ka legjitimitetin për të marrë vendime lidhur me ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Haradinaj përdori termin “shfuqizim i Gjykatës Speciale” gjatë deklarimit të tij. Megjithatë, nisma që aktualisht po trajtohet në Kuvend është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe nuk parasheh në vetvete shpërbërjen e plotë të tyre.
Kuvendi e miratoi sot Projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim, ndërsa Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Haradinaj tha se deputetët që nuk e mbështesin nismën do të duhet të japin përgjegjësi politike para qytetarëve, duke e paraqitur votimin si një nga momentet më të rëndësishme të kësaj legjislature.
Ndërkohë, kërkesa që Projektligji të votohet edhe në lexim të dytë gjatë së njëjtës ditë ka nxitur debat në Kuvend, ndërsa jashtë ndërtesës protestuesit po vazhdojnë të kërkojnë përfundimin e procedurës parlamentare.






