Home > Ballina > Kuvendi miraton në parim Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, 81 deputetë votojnë pro

Kuvendi miraton në parim Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, 81 deputetë votojnë pro

///
Comments are Off

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurave parlamentare.

Në votim, Projektligji mori 81 vota për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Pas votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi që Komisioni për Legjislacion, në cilësinë e komisionit përgjegjës raportues, së bashku me komisionet e përhershme, ta shqyrtojnë Projektligjin dhe t’ia paraqesin Kuvendit raportet dhe rekomandimet e tyre.

Projektligji synon themelimin dhe organizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përcaktimin e kompetencave të saj dhe rregullimin e procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Nisma konsiderohet pjesë e reformave në sistemin e drejtësisë dhe synon fuqizimin e mekanizmave institucionalë për trajtimin e rasteve kur ekzistojnë dyshime për pasuri që nuk mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme.

Qeveria e kishte miratuar Projektligjin më 26 shtator, ndërsa më pas ai kaloi edhe në Komisionin për Legjislacion para se të procedohej për shqyrtim në seancë plenare.

Procesi për krijimin e Byrosë ka kaluar nëpër disa etapa gjatë viteve të fundit. Një version i mëparshëm i ligjit ishte shfuqizuar në janar të këtij viti pas konstatimit të shkeljeve kushtetuese dhe procedurale gjatë procesit të miratimit.

Pas këtyre zhvillimeve, institucionet kanë vazhduar me hartimin dhe procedimin e versionit aktual të Projektligjit.

Miratimi i sotëm është vetëm leximi i parë. Projektligji duhet të shqyrtohet më tej në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, dhe më pas të rikthehet në seancë për votimin përfundimtar.

Verified by MonsterInsights