Situata para Kuvendit të Kosovës është tensionuar të hënën pasdite, ku protestuesit kanë kapur fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, derisa ai po largohej nga objekti.
Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihet Rexhepi duke u kapur nga protestuesit për duar dhe këmbë, ndërsa më pas është kthyer me forcë në drejtim të hapësirës së Kuvendit.
Në një moment, protestuesit e kanë kaluar deputetin përtej rrethojave ku ndodheshin pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Policia ka qenë e pranishme gjatë incidentit, ndërsa më vonë në zonën përreth Kuvendit janë shtuar forcat policore, përfshirë edhe pjesëtarë të njësive speciale.
Incidenti me Rexhepin nuk ishte i vetmi gjatë protestës së sotme.
Pak më herët, protestuesit kishin penguar edhe ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që të largohej nga objekti i Qeverisë. Disa prej tyre e kishin kapur për krahu, ndërsa më pas ai ishte kthyer nën përcjelljen e Policisë.
Protestuesit kanë bllokuar gjatë ditës disa prej hyrjeve dhe daljeve të Kuvendit dhe Qeverisë, duke kërkuar që deputetët të mos largohen pa e përfunduar votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa e tyre është që Projektligji, i cili tashmë ka kaluar leximin e parë, të votohet edhe në leximin e dytë.
Gjatë protestës janë regjistruar edhe incidente të tjera. Policia ka bërë të ditur se persona të caktuar kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit dhe kanë hedhur mjete të ndryshme e mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.
Një protestues është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se kishte poseduar dhe hedhur mjete piroteknike.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që protestën ta vazhdojnë në mënyrë të qetë dhe të respektojnë ligjin.
Ndërkohë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se reagimet e disa protestuesve po vijnë nga mllefi, ndërsa ka bërë thirrje që të mos ketë përplasje me Policinë.
Situata para institucioneve vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit po kërkojnë përfundimin e procedurës parlamentare për Projektligjin.






