Ish-kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha pozitat që mbante në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Vendimi i tij vjen pas qëndrimit të LDK-së për të mos e mbështetur Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gashi ka bërë të ditur se largohet nga tri pozita brenda partisë: anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq.
Ai tha se qëndrimi i partisë për këtë çështje ka shkaktuar indinjatë të thellë te anëtarësia e degës në Obiliq, përfshirë edhe përfaqësues të saj në Kuvendin Komunal.
Gashi ka theksuar se e ndan të njëjtin shqetësim dhe se nuk mund të vazhdojë t’i mbajë pozitat partiake kur qëndrimi për këtë çështje bie ndesh me përgjegjësinë që ai thotë se ndjen ndaj njerëzve që përfaqëson.
Në reagimin e tij, ai është ndalur edhe te e kaluara gjatë luftës, duke folur për angazhimin e tij dhe bashkëpunimin me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, mbrojtja e dinjitetit të luftës së UÇK-së dhe kërkesa për drejtësi nuk duhet të kufizohen nga përkatësia partiake.
Gashi ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia individuale duhet të përcaktohet nga drejtësia mbi bazën e provave dhe përmes një procesi të paanshëm. Në të njëjtën kohë, ai ka shprehur bindjen e tij se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka marrë karakter politik.
“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi.
Dorëheqja e tij vjen në një ditë me zhvillime të shumta brenda LDK-së në Obiliq.
Më herët, asambleisti Labinot Mirena dha dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e LDK-së, duke bërë të ditur se mandatin e tij në Kuvendin Komunal do ta vazhdojë si i pavarur.
Edhe asambleistja Vlora Mjekiqi Kabashi njoftoi largimin nga funksionet e saj në parti dhe vazhdimin e mandatit si e pavarur.
Të tri zhvillimet lidhen me pakënaqësitë ndaj qëndrimit të LDK-së për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Projektligji kaloi sot leximin e parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.




