Home > Ballina > Haradinaj kërkon kthimin e Kurtit dhe deputetëve të VV-së në Kuvend: Ikja është dezertim

Haradinaj kërkon kthimin e Kurtit dhe deputetëve të VV-së në Kuvend: Ikja është dezertim

///
Comments are Off

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehen në Kuvend dhe ta përfundojnë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Reagimi i Haradinajt vjen pasi deputetë të LVV-së u larguan nga ndërtesa e Kuvendit gjatë mbrëmjes, ndërsa Projektligji ende nuk ishte proceduar për votim në lexim të dytë.

Haradinaj e ka cilësuar largimin e tyre si “dezertim”, duke kërkuar që deputetët të kthehen në sallë dhe të marrin përgjegjësinë për votimin përfundimtar.

Sipas tij, procesi nuk duhet të mbetet vetëm te miratimi në parim, por duhet të përfundojë me votimin edhe në leximin e dytë.

AAK-ja që në fillim të seancës kishte deklaruar mbështetjen për ndryshimet dhe kishte kërkuar që e gjithë procedura të përfundonte brenda së njëjtës ditë.

Haradinaj kishte deklaruar se Aleanca do ta votojë Projektligjin, ndërsa kishte kërkuar nga Kuvendi që përmes procedurave parlamentare ta mundësojë votimin në të dyja leximet.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara kaloi në lexim të parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Megjithatë, procedura nuk përfundon me këtë votim. Për miratimin përfundimtar, Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë.

Gjatë mbrëmjes, situata jashtë Kuvendit është tensionuar. Protestuesit kanë kërkuar votimin e menjëhershëm të ndryshimeve, ndërsa janë regjistruar përplasje me Policinë dhe përdorim i gazit lotsjellës.

Deputetët e LVV-së janë parë duke u larguar rreth orës 19:00, duke nxitur reagime nga partitë që po kërkojnë vazhdimin e seancës.

Më herët gjatë ditës, Kurti kishte deklaruar se LVV-ja do t’i mbështesë ndryshimet, por kishte theksuar se vendit i duhet edhe stabilitet institucional dhe zgjedhja e presidentit.

Haradinaj tani kërkon që deputetët të rikthehen dhe të përfundojnë atë që ai e konsideron detyrim të tyre parlamentar lidhur me Ligjin për Specialen.

Verified by MonsterInsights