Policia e Kosovës ka publikuar bilancin e përditësuar pas përplasjeve të së hënës para institucioneve shtetërore në Prishtinë, ku protesta për Ligjin e Dhomave të Specializuara eskaloi gjatë orëve të mbrëmjes.
Sipas të dhënave zyrtare, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithashtu 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar, duke e çuar në të paktën 33 numrin e personave që kanë marrë trajtim pas zhvillimeve të protestës.
Bilanci është përditësuar të martën në mëngjes. Fillimisht ishte raportuar për numër më të vogël të zyrtarëve policorë të lënduar.
Gjatë protestës, disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe ndaj zyrtarëve policorë.
Policia ka deklaruar se për vënien e situatës nën kontroll, mundësimin e lirisë së lëvizjes dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Gjatë zhvillimeve janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se, pas vlerësimit të veprimeve të ndërmarra në terren, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës për vlerësimin e çdo dyshimi eventual për tejkalim të autorizimeve policore.
Përplasjet ndodhën pasi protestuesit kërkuan që Kuvendi ta përfundojë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë.
Gjatë mbrëmjes u bllokuan edhe disa rrugë në qendër të Prishtinës, ndërsa në disa zona u regjistruan përplasje ndërmjet protestuesve dhe Policisë.
Një protestë tjetër është paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar në terren dhe se, varësisht nga zhvillimet, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që protestën ta zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.





