Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet me urgjencë për ta përmbyllur procesin e miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, PDK-ja i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë seancë plenare dhe Projektligji të procedohet në lexim të dytë.

Sipas qëndrimit të PDK-së, miratimi përfundimtar i ndryshimeve duhet të jetë prioritet i menjëhershëm dhe nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshjet politike për zgjedhjen e presidentit.

Partia ka deklaruar se nismën e ka ndërmarrë pas konsultimeve me partitë politike shqiptare dhe e ka cilësuar çështjen si përgjegjësi që tejkalon interesat e një subjekti politik.

“Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme”, ka deklaruar PDK-ja.

Projektligji është miratuar të hënën në lexim të parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, por procesi ka mbetur i papërfunduar pasi nuk është zhvilluar votimi në lexim të dytë.

PDK-ja argumenton se, nëse ekzistoi shumica e nevojshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet politik duhet të shprehet edhe në fazën përfundimtare.

Megjithatë, rreth procedurës parlamentare është hapur edhe debat juridik. Avokati Ardian Bajraktari dhe njohësi i çështjeve ligjore Vullnet Bugaqku kanë deklaruar se Rregullorja e Kuvendit parasheh së paku 72 orë ndërmjet miratimit në lexim të parë dhe shqyrtimit në lexim të dytë, përveç rasteve të përcaktuara për gjendje emergjente ose të jashtëzakonshme.

PDK-ja, në anën tjetër, ka deklaruar se sipas vlerësimit të saj nuk ekziston pengesë ligjore apo procedurale që procesi të përfundojë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte përsëritur edhe para mbledhjes së Kryesisë se kërkesa e partisë është thirrja e seancës dhe votimi i Ligjit për Specialen në lexim të dytë.

Ai ka insistuar që çështja e Projektligjit dhe ajo e zgjedhjes së presidentit të trajtohen ndaras.

PDK-ja ka reaguar gjithashtu për përplasjet e së hënës para Kuvendit, duke paralajmëruar se rastet ku dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ndërkohë, protestuesit janë rikthyer edhe sot para Kuvendit, duke kërkuar që deputetët të mblidhen dhe ta përfundojnë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.