Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas përplasjeve të së hënës mbrëma ndërmjet protestuesve dhe Policisë së Kosovës, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar situata para institucioneve shtetërore.
Rama tha se pamjet e qytetarëve të lënduar dhe atyre që kanë kërkuar trajtim në QKUK janë të dhimbshme, ndërsa kërkoi sqarim dhe përgjegjësi për veprimet gjatë protestës.
Sipas tij, detyrë e institucioneve është mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i së drejtës për protestë.
Ai ka argumentuar se përgjegjësia individuale e personave që mund të kenë shkaktuar incidente nuk duhet të përdoret për ta paraqitur të gjithë protestën si të dhunshme.
“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka drejtuar akuza edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke iu referuar deklarimeve të tij të mëhershme për përdorimin e automjeteve të zeza nga pushtetarët.
Rama pretendoi se Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u larguan nga qytetarët me “xhipa të zi”, duke e përdorur këtë si kritikë ndaj qasjes së pushtetit ndaj protestës.
Ai ka kërkuar që Policia të mos përdoret si përgjigje ndaj një problemi politik dhe u ka bërë thirrje institucioneve të gjejnë zgjidhje për kërkesat e protestuesve.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka dhënë një version tjetër për rrethanat që çuan në intervenim. Sipas Policisë, disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe gjësende të forta ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.
Policia ka deklaruar se për vënien e situatës nën kontroll ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit.
Bilanci i përditësuar tregon se 20 zyrtarë policorë janë lënduar, ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 protestues dhe një gazetar.
Tre persona janë arrestuar gjatë zhvillimeve, prej të cilëve dy janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.
Përplasjet ndodhën pasi protestuesit kërkuan që Kuvendi ta përfundojë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë.





