Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar nga protesta në Prishtinë pas përplasjeve të së hënës mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
Lushtaku ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se mënyra se si u zhvilluan ngjarjet e mbrëmshme, sipas tij, tregon qasjen e pushtetit ndaj protestuesve.
Ai pretendoi se pushteti e ka përdorur dhe manipuluar Policinë e Kosovës gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve.
Lushtaku ngriti edhe pretendime për disa zyrtarë policorë që, sipas tij, kanë pasur rol drejtues në reagimin e Policisë gjatë protestës. Ai tha se bëhet fjalë për persona që i njeh me emër dhe mbiemër dhe pretendoi se baballarët e tyre ndodhen në Serbi.
Këto pretendime të Lushtakut nuk janë konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe deri tani nuk janë paraqitur publikisht prova që i mbështesin ato.
Pavarësisht kritikave, Lushtaku tha se protestuesit nuk i konsiderojnë policët armiq dhe se dallimet politike nuk duhet të shndërrohen në armiqësi.
Ai foli edhe për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se për të miratimi i ligjit është prioritet më i madh sesa procesi për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, nisma nuk lidhet vetëm me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por me mënyrën se si trajtohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica e qytetarëve gjatë luftës.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka deklaruar se ndërhyrja e së hënës erdhi pasi një grup protestuesish hodhi mjete piroteknike, fishekzjarre dhe gjësende të forta drejt institucioneve dhe zyrtarëve policorë.
Policia ka raportuar 20 zyrtarë policorë të lënduar, ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 protestues dhe një gazetar.
Protesta ka vazhduar edhe të martën me kërkesën që Kuvendi të përfundojë procedurën për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.




