Kryeministri Albin Kurti i ka bërë një ofertë të re publike Partisë Demokratike të Kosovës në përpjekje për të zgjidhur njëkohësisht çështjen e presidentit dhe votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka kërkuar që PDK-ja të zotohet publikisht se së paku gjysma e deputetëve të saj do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe në votimin që lidhet me emrin e Bekim Sejdiut.
Ai ka sqaruar se nga deputetët e PDK-së nuk po kërkon domosdoshmërisht votë pro për Sejdiun.
Sipas Kurtit, deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër, por duhet të marrin pjesë në procesin e votimit.
Në këmbim, Kurti është zotuar se Lëvizja Vetëvendosje do të sigurojë votat e nevojshme për procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.
Ai ka deklaruar se mund të garantojë 62 deputetë për votimin e Projektligjit.
Kurti ka propozuar që presidenti të votohet gjatë ditës së sotme, ndërsa leximi i dytë i Projektligjit për Specialen të zhvillohet paraditen e së enjtes.
Sipas tij, kjo do të mundësonte respektimin e afatit prej 72 orësh ndërmjet dy fazave të shqyrtimit të Projektligjit.
Kryeministri e ka cilësuar zgjedhjen e presidentit si çështjen më urgjente për shkak të afatit që përfundon sot, ndërsa ka thënë se votimi i Ligjit për Specialen mund të përfundojë menjëherë pas kësaj.
Oferta vjen pas mospajtimeve mes LVV-së dhe PDK-së për renditjen e dy proceseve.
PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Specialen dhe vetëm më pas të zhvillohen bisedimet për presidentin.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar gjatë ditës se nuk do të ketë takim tjetër me Kurtin pa u miratuar më parë Projektligji në lexim të dytë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua një ditë më parë në lexim të parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Një element i rëndësishëm në ofertën e Kurtit mbetet edhe statusi i kandidaturës së Bekim Sejdiut.
Sejdiu kishte njoftuar më 14 shtator tërheqjen nga gara për president për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare.
Kurti megjithatë ka vazhduar ta konsiderojë marrëveshjen e mëhershme mes LVV-së dhe LDK-së për Sejdiun si të vlefshme. Deri në momentin e publikimit nuk është bërë publik ndonjë qëndrim i ri i Sejdiut që konfirmon rikthimin e tij në garë.
Sot është dita e fundit e afatit të përcaktuar për përfundimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit, çka ka intensifikuar bisedimet dhe ofertat mes partive parlamentare.






