Fadil Zogaj, i dyshuar për përfshirje në incidentin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fahrush Rexhepi, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, pritet të dalë sot para Gjykatës për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet paraburgimi, pasi Zogaj është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Zogaj dyshohet se është një nga personat e përfshirë në incidentin ku deputeti Rexhepi u kap fizikisht nga disa protestues dhe u kthye me forcë drejt hapësirës së Kuvendit.
Pamjet e incidentit tregojnë disa persona duke e tërhequr deputetin dhe më pas duke e kaluar mbi rrethojat në oborrin e Kuvendit.
Pas analizimit të video-incizimeve, hetuesit kanë identifikuar një nga personat e dyshuar si Fadil Zogaj.
Ai është lokalizuar rreth orës 19:30 në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë dhe më pas është shoqëruar për intervistim.
Zogaj është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj personit me inicialet F.Z. është paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit.
Hetimet nuk kanë përfunduar me ndalimin e tij. Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë veprimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë në incident.
Deputeti Fahrush Rexhepi kishte reaguar pas ngjarjes duke thënë se rasti do të procedohej në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.
Ai kishte bërë të ditur gjithashtu se disa nga personat e identifikuar pas incidentit kishin kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por kishte theksuar se kjo nuk e mbyll rastin.
Gjykata ende nuk ka marrë vendim për kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Fadil Zogaj konsiderohet i pafajshëm derisa përgjegjësia eventuale penale të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.






