Home > Ballina > VV-ja i drejtohet Kushtetueses dhe kërkon sqarim për kompetencat e presidentit

VV-ja i drejtohet Kushtetueses dhe kërkon sqarim për kompetencat e presidentit

///
Comments are Off

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat e presidentit nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues.

Kërkesa është dorëzuar më 6 tetor nga deputeti Adnan Rrustemi, në emër të 31 deputetëve të LVV-së. Në të kërkohet trajtimi i çështjes së kompetencave kushtetuese të Kuvendit dhe Presidentit, me fokus te vazhdimësia institucionale dhe procesi zgjedhor pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës së presidentit.

Një nga çështjet kryesore që kërkohet të sqarohet është se kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme nëse presidenti i ri nuk zgjidhet dhe Kuvendi shpërndahet, pasi shpallja e zgjedhjeve është kompetencë presidenciale.

Periudha gjashtëmujore gjatë së cilës Albulena Haxhiu ka ushtruar detyrën e presidentes ka përfunduar më 4 tetor, ndërsa 6 tetori është afati i fundit i përcaktuar për zgjedhjen e presidentit të ri. Kushtetuta parashikon se posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe, nuk mund të ushtrohet më gjatë se gjashtë muaj.

Kërkesa e deputetëve të LVV-së vjen një ditë pasi edhe Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të kësaj periudhe gjashtëmujore.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë mënyrën se si mund të sigurohet vazhdimësia institucionale dhe ushtrimi i kompetencave të domosdoshme presidenciale në rrethanat e krijuara.

Verified by MonsterInsights