Akademikja Justina Shiroka-Pula nuk e ka pranuar, por as nuk e ka kundërshtuar mundësinë që të jetë kandidate për presidente të Kosovës, pasi emri i saj u propozua nga kryeministri Albin Kurti në përpjekjet e fundit për të arritur marrëveshje politike për kreun e shtetit.
E kontaktuar për qëndrimin e saj lidhur me këtë propozim, Shiroka-Pula ka thënë se fillimisht dëshiron të zhvillojë biseda me personat relevantë.
“Vetëm të bisedoj me njerëzit e duhur”, ka deklaruar ajo.
Shiroka-Pula nuk ka treguar nëse është kontaktuar drejtpërdrejt nga Kurti apo nga ndonjë subjekt tjetër politik lidhur me mundësinë e kandidimit.
Emri i saj doli si propozim në orët e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit, në një kohë kur partitë politike ende nuk kishin arritur marrëveshje për një kandidat që do të siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
6 tetori është përcaktuar si afati i fundit për përfundimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit. Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se afati 60-ditor kishte nisur më 8 gusht. KOHA.net
Shiroka-Pula aktualisht drejton Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në shkurt të këtij viti, kur emri i saj ishte përfolur gjithashtu për postin e presidentes, ajo kishte deklaruar se nuk ishte kandidate dhe se gjatë një takimi me Kurtin nuk ishte diskutuar për këtë çështje. Gazeta Online Reporteri.net
Qëndrimi i saj i fundit, megjithatë, nuk e përjashton menjëherë mundësinë e kandidaturës, pasi Shiroka-Pula ka kërkuar fillimisht konsultime para se të japë një përgjigje përfundimtare.







