Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, do të inaugurohet sot në një ceremoni zyrtare që nis në orën 15:00.
Ceremonia e inaugurimit është paraparë të mbahet në oborrin e Presidencës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, mysafirë dhe të ftuar të tjerë.
Shiroka-Pula u zgjodh presidente pas votimit në Kuvendin e Kosovës, duke siguruar 81 vota. Në garë ishte edhe Eliza Hoxha, e cila mori një votë, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.
Pas shpalljes së rezultatit, presidentja e re dha betimin kushtetues para deputetëve dhe mori zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit.
Në fjalimin e saj të parë si presidente, Shiroka-Pula tha se mandatin e pranon me përgjegjësi dhe se synon të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ajo ka deklaruar se gjatë mandatit do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve, duke theksuar gjithashtu orientimin euroatlantik të Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatët.
Para zgjedhjes presidente, Shiroka-Pula ka shërbyer si kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ceremonia e sotme shënon edhe inaugurimin ceremonial të saj në postin më të lartë shtetëror.







