Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë ndaj BE-së.
BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet këtyre detyrimeve dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.
Në reagim është theksuar se mandati aktual dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht. BE-ja ka rikujtuar gjithashtu se proceset në Hagë mbështeten në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Reagimi erdhi pasi Kuvendi i Kosovës më 6 tetor miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ndryshimet prekin disa elemente të funksionimit të Speciales, përfshirë juridiksionin, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe dispozita të tjera që lidhen me kompetencat e saj.
Pas votimit, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar për ndryshimet ligjore. Ato nuk kanë komentuar për momentin mbi efektin e tyre, duke deklaruar se mbeten të përqendruara në përmbushjen e mandatit dhe garantimin e proceseve të drejta, të paanshme dhe të sigurta.
Në anën tjetër, OVL-UÇK ka kundërshtuar qëndrimin e BE-së, duke pretenduar se amendamentet nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare dhe se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrjen e tyre kushtetuese dhe demokratike.
Pavarësisht kundërshtimit për Ligjin e Speciales, BE-ja ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente dhe daljen nga bllokada institucionale, duke kërkuar vazhdimin e reformave dhe përparimin e Kosovës në rrugën evropiane.






