Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në deklarimin e rregullt të pasurisë për vitin 2024 kishte deklaruar disa prona të paluajtshme, tokë, aksione në një biznes, para në llogari bankare dhe dy kredi.
Deklarimi ishte dorëzuar më 29 mars 2024, kur Shiroka-Pula mbante funksionin e anëtares së Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, ndërsa njëkohësisht ishte nënkryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në mesin e pronave figuron një shtëpi prej 135 metrash katrorë në lagjen Marigona, e blerë në vitin 2017 përmes kredisë, me vlerë të deklaruar prej 130 mijë eurosh.
Ajo kishte deklaruar gjithashtu një shtëpi prej 174 metrash katrorë, në pronësi të përbashkët, me vlerë 250 mijë euro, si dhe një banesë prej 120 metrash katrorë, të blerë në vitin 2022, me vlerë 200 mijë euro.
Në deklarim figuron edhe një banesë prej 69 metrash katrorë, me vlerë 34 mijë euro, si dhe prona të tjera të trashëguara apo në bashkëpronësi.
Shiroka-Pula kishte deklaruar edhe 30 ari tokë, të blerë me kredi në vitin 2023, me vlerë të deklaruar prej 120 mijë eurosh.
Në pjesën e pjesëmarrjes në biznese, ajo kishte deklaruar 52 për qind të aksioneve në kompaninë “DLLL”, me vlerë prej 2,600 eurosh.
Sa u përket detyrimeve financiare, në deklarim figuron një kredi fillestare prej 120 mijë eurosh për blerjen e shtëpisë në Marigonë, nga e cila në atë kohë kishin mbetur edhe 40 mijë euro për t’u shlyer.
Një kredi tjetër prej 120 mijë eurosh ishte marrë për blerjen e tokës, ndërsa borxhi i mbetur në momentin e deklarimit ishte 114,217 euro.
Në tri llogari bankare, Shiroka-Pula kishte deklaruar respektivisht 668.33 euro, 2,740.69 euro dhe 2,049.57 euro.
Të gjitha këto të dhëna i përkasin deklarimit të vitit 2024 dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht gjendjen aktuale të pasurisë së presidentes.






