Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur në Kuvendin e Kosovës, duke bërë thirrje për bashkëpunim politik rreth interesave themelore të shtetit.
Mustafa ka thënë se historia e Kosovës ka treguar se vendi ka qenë më i fortë kur subjektet politike janë bashkuar rreth çështjeve me rëndësi shtetërore.
Ai ka përmendur kompromiset politike gjatë ndërtimit të institucioneve më 2002, bashkëpunimin mes rivalëve politikë në periudhën e shpalljes së Pavarësisë më 2008 dhe marrëveshjen politike pas bllokadës së vitit 2014.
“Edhe marrëveshja e mbrëmshme na rikujton se kundërshtari politik nuk është armik”, ka deklaruar Mustafa.
Sipas tij, një qasje e tillë nevojitet edhe për çështjet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së, të vërtetën dhe trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke theksuar njëkohësisht respektimin e drejtësisë dhe institucioneve.
Mustafa ka thënë se partitë mund të kenë dallime për shumë çështje, por duhet të arrijnë bashkëpunim kur bëhet fjalë për interesat themelore të Kosovës.
“Mbi partitë, Kosova”, ka përfunduar ai.
Reagimi vjen pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u miratuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara me 88 vota për, ndërsa Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota.






