Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, ku u miratuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e vendit.
Musliu ka thënë se pas dy vendimeve qëndrojnë ditë e net pune, përballjeje dhe qëndrese, ndërsa ka falënderuar qytetarët që për tri javë qëndruan në shesh në mbështetje të kërkesave të tyre.
Ajo ka përmendur lotët, mërzinë dhe zhgënjimin e kësaj periudhe, por njëkohësisht edhe atë që e ka cilësuar si qëndresë, dinjitet dhe mosdorëzim të qytetarëve.
Musliu ka vlerësuar edhe angazhimin e deputetëve të PDK-së, duke thënë se ata kanë mbajtur qëndrim të përbashkët në mbështetje të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.
Deputetja e PDK-së ka falënderuar në veçanti edhe kryetarin e partisë, Bedri Hamza, për angazhimin gjatë këtij procesi.
Sipas saj, lidershipi nuk matet me zhurmë dhe populizëm, por me urtësi, maturi, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri.
“Mbrëmë u morën dy vendime të rëndësishme. Sot fillon përgjegjësia”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se kjo përgjegjësi lidhet me mbrojtjen e Republikës, Kushtetutës, demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, duke shtuar se pushtetet dhe mandatet ndryshojnë, ndërsa Republika mbetet.
Në seancën e 6 tetorit, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota.







