Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve që pasuan miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se qytetarëve u është premtuar një efekt juridik që, sipas tij, ligji nuk mund ta prodhojë.

Abdixhiku ka deklaruar se ende pa kaluar 48 orë nga miratimi i ndryshimeve është dëshmuar ajo për të cilën LDK-ja kishte paralajmëruar më herët.

“Po, ju kanë mashtruar! Dhe po, ua kemi thënë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar të gjithë nismën si një përpjekje që, sipas tij, ka shfrytëzuar emocionet e qytetarëve, ndërsa ka kritikuar reagimet që LDK-ja kishte marrë kur vendosi të mos e mbështeste nismën.

Abdixhiku ka rikujtuar qëndrimin e LDK-së të bërë publik më 5 tetor, sipas të cilit një votim në Kuvend nuk mund të zhbëjë një aktgjykim dhe ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të anashkalojë Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

LDK-ja kishte paralajmëruar gjithashtu se miratimi i ndryshimeve nuk garantonte zbatimin e tyre dhe se dispozitat mund të përballeshin me shqyrtim kushtetues.

Partia e Abdixhikut nuk mori pjesë në votimin përfundimtar të projektligjit. Ndryshimet u miratuan në lexim të dytë në Kuvend me 88 vota për.

Pas miratimit, Bashkimi Evropian deklaroi se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara.

Qëndrimi i BE-së është bërë pjesë e debatit të ri politik rreth zbatueshmërisë së ligjit, ndërsa Abdixhiku këmbëngul se paralajmërimet e LDK-së për rreziqet juridike ishin dhënë para votimit.