Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u është përgjigjur kritikave që Dejona Mihali dhe Alban Krasniqi kanë adresuar ndaj tij lidhur me protestat e ditëve të fundit.
Duke folur për deklaratat e Krasniqit, Haziri ka thënë se i vjen keq për gjuhën që ai ka përdorur dhe për faktin që, sipas tij, nuk iu bashkua protestave.
“Më vjen keq që është burri i kryeparlamentares. Më vjen keq që e ka këtë gjuhë. Më vjen keq që s’është bashku”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se protestat dhe mbështetja për UÇK-në nuk duhet të lidhen me mohimin apo promovimin e ndonjë partie politike.
Haziri ka reaguar edhe ndaj etiketimeve që e lidhin atë me Sami Lushtakun, duke thënë se ndihet krenar që njeh figura të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai përmendi Sami Lushtakun, Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Jakup Nurën dhe Rrahman Ramën, duke i cilësuar si bashkëluftëtarë dhe shokë të idealit të babait të tij, Xhavit Hazirit.
Haziri tha se për të njohja dhe kontakti me këto figura përbëjnë krenari dhe jo arsye për kritika.
Ai iu përgjigj edhe pretendimeve se protestat mund të organizoheshin ndryshe, duke thënë se askush nuk e kishte penguar Alban Krasniqin që t’u bashkohej apo të organizonte vetë protestë.
Reagimi vjen pasi Mihali dhe Krasniqi kishin adresuar kritika të forta ndaj Hazirit lidhur me mënyrën e organizimit të protestave dhe incidentet e ndodhura gjatë tyre.
Mihali kishte pretenduar se Haziri po e keqpërdorte emrin e babait të tij për interesa politike, ndërsa Krasniqi kishte deklaruar se protesta që nisi si nismë qytetare ishte shndërruar, sipas tij, në fushatë kundër Vetëvendosjes.





