Qeveria e Kosovës i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula autorizimin për ministrin e Financave, në mënyrë që ai të nënshkruajë marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime.
Vendimi është marrë në mbledhjen e gjashtë të Qeverisë, e zhvilluar në mënyrë elektronike.
Marrëveshja lidhet me Projektin për Përmirësimin e Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës, i cili synon modernizimin e pajisjeve dhe investime në infrastrukturën e spitaleve publike në Kosovë.
Financimi i paraparë nga Banka Evropiane për Investime është rreth 20 milionë euro, ndërsa kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet në afërsisht 41 milionë euro.
Projekti synon rritjen e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore të nivelit sekondar dhe terciar, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përafrimin e infrastrukturës me standardet evropiane.
Banka Evropiane për Investime e ka miratuar projektin më 27 gusht 2026, ndërsa hapi i radhës është nënshkrimi i marrëveshjes së kredisë.
Me vendimin e fundit, Qeveria tashmë po kërkon autorizimin presidencial që ministri i Financave të procedojë me nënshkrimin e marrëveshjes.







