Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar përfshirjen e plotë të Kosovës në Korridorin VIII, duke theksuar rëndësinë ekonomike dhe strategjike të këtij rrjeti transportues për Ballkanin Perëndimor.

Konjufca i bëri këto deklarata gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Korridorin VIII në Sofje, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve dhe institucioneve evropiane për të diskutuar zhvillimin dhe përshpejtimin e këtij projekti.

Ai ka thënë se lidhja rajonale nuk duhet parë vetëm si çështje ekonomike, por edhe si një element i rëndësishëm i sigurisë.

Konjufca ka përmendur investimet e Kosovës në Linjën Hekurudhore 10 dhe projektin e planifikuar të hekurudhës Prishtinë-Durrës, duke vlerësuar se këto investime mund të diversifikojnë rrugët e transportit dhe të forcojnë lidhjen e Kosovës me rajonin.

Sipas tij, një Ballkan Perëndimor më i qëndrueshëm dhe më i ndërlidhur kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirjen e plotë të Kosovës në projektet strategjike rajonale.

Gjatë konferencës, Konjufca ngriti gjithashtu shqetësimin për atë që e përshkroi si pengim të vazhdueshëm nga Serbia të shkëmbimeve të energjisë elektrike me Kosovën. Ai tha se një situatë e tillë dëmton sigurinë energjetike rajonale dhe kërkon veprim evropian për zbatimin e detyrimeve ekzistuese.

Korridori VIII është një rrjet multimodal transporti që lidh hapësirën e Adriatikut me Detin e Zi, duke kaluar nëpër Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bullgari. Ai përfshin infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe lidhje me porte e aeroporte.

Konjufca ka kërkuar që Kosova të mos mbetet jashtë zhvillimit të këtij rrjeti, duke e konsideruar ndërlidhjen rajonale edhe pjesë të arkitekturës së sigurisë euroatlantike.