Home > Lajme > Krasniqi thotë se Strategjia për Vetëqeverisje Lokale do ta vendosë qytetarin në qendër

Krasniqi thotë se Strategjia për Vetëqeverisje Lokale do ta vendosë qytetarin në qendër

///
Comments are Off

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka prezantuar prioritetet që pritet të përfshihen në Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031, duke theksuar se qytetari do të jetë në qendër të saj.

Krasniqi mori pjesë në një panel të organizuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës, ku u diskutua për forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe bashkëpunimin mes nivelit qendror dhe komunave.

Në fokus të diskutimeve ishin decentralizimi fiskal, autonomia administrative, fuqizimi i kapaciteteve të komunave dhe krijimi i më shumë mundësive për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Krasniqi ka thënë se strategjia e re synon ndërtimin e një qeverisjeje lokale më transparente, profesionale dhe llogaridhënëse.

“Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031, të cilën po e hartojmë me mbështetjen e Këshillit të Evropës, do të vendosë qytetarin në qendër”, ka deklaruar ai.

Procesi i hartimit të strategjisë ka nisur gjatë këtij viti dhe përfshin disa fusha kryesore, mes tyre avancimin e kornizës ligjore për vetëqeverisjen lokale, zhvillimin ekonomik të komunave, qeverisjen e mirë dhe demokracinë lokale.

Një pjesë e rëndësishme pritet t’i kushtohet edhe digjitalizimit, inovacionit dhe modernizimit të administratës komunale, me synim që shërbimet publike të jenë më të qasshme dhe më efikase për qytetarët.

Krasniqi ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve është i nevojshëm që objektivat e strategjisë të shndërrohen në rezultate konkrete.

Verified by MonsterInsights