Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar pas raportimeve se gjatë së enjtes ishte zhvilluar një aksion policor në ambientet e saj dhe se ishin arrestuar disa zyrtarë.
Ministria i ka mohuar raportimet për bastisje, duke bërë të ditur se në objektin e saj nuk është zhvilluar një operacion i tillë.
Sipas reagimit institucional, është marrë edhe konfirmim nga Policia e Kosovës se informacioni për bastisjen është i pavërtetë.
Edhe Policia, e pyetur lidhur me rastin, ka bërë të ditur se deri në atë moment nuk kishte ndonjë informacion zyrtar për një zhvillim apo rast të realizuar gjatë ditës në Ministrinë e Arsimit.
Reagimi erdhi pasi më herët gjatë ditës u raportua se pesë zyrtarë të Ministrisë ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se rasti lidhej me një tender të mëhershëm për tekste shkollore.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga institucionet kompetente, ndërsa reagimet zyrtare të deritanishme mohojnë se në ambientet e Ministrisë është zhvilluar bastisje apo aksion policor.
Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se puna në institucion po vazhdon normalisht dhe se të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat po realizohen sipas planifikimeve.





